Merret vendimi për Shefqet Krasniqin

Merret vendimi për Shefqet Krasniqin

Shefqet Krasniqi është deklaruar sot i pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohet.

Shefqet Krasniqi është deklaruar sot i pafajshëm ndaj akuzave për shtytje në kryerjen e veprave terroriste, nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar dhe për shmangie nga tatimi.

“Natyrisht se nuk e pranoj [fajësinë] sepse nuk kam asnjë arsye ta pranoj fajësinë, sepse nuk i kam kryer veprat që akuzohem”, tha Krasniqi në gjykatë.

Edhe Sevdali Zejnullahu, avokati i Shefqet Krasniqit, tha se aktakuza nuk bazohet në prova me kualitet provues.

Pas deklarimit për aktakuzën vazhdoi seanca që u kushtohet kundërshtimit të provave të aktakuzës.

“Një pjesë e madhe e provave janë thashetheme që nuk ju dihet origjina e tyne dhe nuk kanë bazueshmëri dhe janë thelbësisht të pambështetshme”, tha avokati Zejnullahu.

Avokati më tutje aktakuzën e cilësoi të pasaktë e të përgjithësuar.

“Për pikën e parë të aktakuzës përmenden disa veprime gjenerale dhe të pakonkretizuara saktë se cilat veprime kanë ndikuar ne shtytjen e personave që të kryejnë akte terroriste dhe cilat janë ato akte terroriste”, tha avokati Zejnullahu.

Ai deklaroi se as për pikën e dytë të aktakuzës ndaj Krasniqit nuk ka prova.

“Gjithashtu edhe sa i përket pikës së dytë të nxitjes së urrejtjes apo përçarjes apo mosdurimit racor me të drejtë e konsiderojmë gjithashtu se është e pambështetshme ne prova”, tha avokati Zejnullahu.

Ai më pas i kërkoi gjykatës që aktakuza të hidhej poshtë.

Por prokurori Elez Blakaj konstatoi se aktakuza është e baazuar në prova.

“Vlerësojmë se me provat e propozuara në aktakuzë ka prova që mbështesin elemente esenciale te tri veprave penale të përshkruara në aktakuzë”, tha prokurori Blakaj.

Gjykata do të vendosë jashtë shqyrtimit gjyqësor në lidhje me kundërshtimet e aktakuzës nga mbrojtja.

Aktakuza përshkruan se veprën e shtytjen në kryerjen e veprave terroriste, Krasniqi e ka kryer nga viti 2013 deri në 2014 ndërsa veprën penale të shmangies nga tatimit e ka kryer nga viti 2011 deri më 2016.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Shefqet Krasniqi, në cilësinë e imamit të xhamisë se madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun, përmes paraqitjeve të tij të drejtpërdrejta para publikut përmes ligjëratave të ndryshme, si dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimit të ajeteve kuranore jashtë kontekstit kohor dhe frymës parimore islame, ka shtyrë të tjerët ta marrin rrugën drejt zonës së konfliktit në Siri dhe Irak e më pas të kryejnë akte terroriste, si dhe ka cilësuar disa grupe fetare si armiq të myslimanëve-sunit, duke nxitur dhe përhapur urrejtje, përçarje dhe mosdurim ndaj grupeve tjera fetare, të cilat jetojnë edhe në Republikën e Kosovës.

Po ashtu, i pandehuri i lartcekur si tatimpagues dhe pronar i biznesit N.T “Portat”, ka fshehur dhe shmangur tatimin, me dashje ka dhënë tё dhëna tё pasakta, si dhe nuk i deklaruar tё dhënat tjera relevante lidhur me obligimet tatimore, duke iu shmangur obligimeve tatimore në vlerë tё përgjithshme prej 20,208.57 €.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje