Meta: Shqipëria dhe Maqedonia t’i forcojnë përpjekjet për negociatat me BE-në

Meta: Shqipëria dhe Maqedonia t’i forcojnë përpjekjet për negociatat me BE-në

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka qëndruar në Strugë, ku është pritur në takim nga kryetari i kësaj komune, Ramiz Merko, këshilltarët komunalë, përfaqësuesit e bashkësive fetare dhe përfaqësuesit e disa partive politike.

Gjatë këtij takimi, Meta ka diskutuar me zyrtarët e Strugës për rolin e shqiptarëve në Maqedoni dhe për momentin e rëndësishëm që po kalojnë Shqipëria dhe Maqedonia në aspektin e integrimit evropian.

“Struga është një qytet jashtëzakonisht i veçantë për të gjithë shqiptarët kudo ku janë. Është një nga qytetet tona më të bukura. Është e gjitha një trevë me tradita të jashtëzakonshme patriotike me një rol të fortë në historinë e mbarë kombit, me figura të shquara për pavarësinë e Shqipërisë dhe në vazhdimësi. Vijmë në një moment të mirë, Shqipëria dhe Maqedonia sapo kanë marrë një rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian (KE) për çeljen e negociatave dhe duhet të forcojmë të gjitha përpjekjet në javët që vijnë për të marrë dhe një vendim pozitiv nga këshilli i vendeve anëtare dhe në qershor”, ka thënë Meta.

Presidenti Meta ka thënë se në Maqedoni është bërë një progres i rëndësishëm në raport me pozitën e shqiptarëve.

“Për herë të parë kemi një kryetar të Parlamentit që është zgjedhur nga forcat politike shqiptare. Po kështu kemi një vendosmëri të një shumice për të filluar sa më shpejt zbatimin e ligjit për gjuhën, që do t’i japë një zgjidhje të munguar deri tani, e që nuk është një privilegj që i bëhet popullit shqiptar, por një detyrim, është një domosdoshmëri”, është shprehur Meta.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje