Ministri Lluka në Uashington merr mbështetje për projektet në fushën e energjisë

Ministri Lluka në Uashington merr mbështetje për projektet në fushën e energjisë

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, së bashku me ministrin e Financave, Bedri Hamza, po qëndrojnë në Uashington, ku morën pjesë në takimet pranverore të Bankës Botërore dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare për çështje ekonomike, me fokus të veçantë të energjisë.

Ministrat Lluka dhe Hamza zhvilluan takim me Cyril Muller, zëvendëspresident i Bankës Botërore për Evropë dhe Azinë Qendrore, si dhe Laura Tuck, zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Zhvillim të Qëndrueshëm, ku u njoftuan me dinamiken e punëve dhe progresin në fushën e energjisë, me theks aprovimin e Strategjisë së Energjisë 2017-2028.

Gjatë këtij takimi ministri Lluka ka theksuar rëndësinë e strategjisë në avancimin e bazës ligjore si dhe krijimit të kushteve për zhvillim të qëndrueshëm në fushën e energjisë.

Zëvendëspresident i Bankës Botërore për Evropë dhe Azinë Qendrore, Cyril Muller, ka përgëzuar ministrin Lluka për aprovimin e strategjisë dhe ka rikonfirmuar mbështetjen e tij në implementimin e projekteve që dalin nga kjo strategji, me theks në ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese siç është termocentrali “Kosova e Re”, zhvillimi i projekteve nga fusha e burimeve të ripërtitshme si dhe mbështetje shtesë për investime në masa të efiçiencës.

Po ashtu, Lluka është takuar me Georgina Baker, zëvendëspresidente e Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) për Evropë dhe Azi, ku tema kryesore e takimit ishte financimi i projekteve në fushën e energjisë dhe ujërave.

Baker ka ritheksuar gatishmërinë e IFC-së për mbështetjen e projekteve në këto fusha, duke konsideruar që ato përmbushin kriteret e financimit.

Ministri Lluka gjatë vizitës në Uashington DC gjithashtu është pritur edhe nga drejtoresha e Zyrës për Evropë Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Suzan Falatko, e cila ka konfirmuar mbështetjen e Departamentit të Shtetit në zhvillimin e projekteve në fushën e energjisë dhe në implementimin e plotë të strategjisë së energjisë.

Po në ditën e fundit të qëndrimit të tij në Uashington DC, ministri Lluka ka hapur punimet e punëtorisë për zhvillimin e minierës së re të thëngjillit në Kosovë, organizuar nga Departamenti Amerikan i Tregtisë, ku prezent ishin zëvendëssekretarja e ekonomisë, Karen Dunn Kelley dhe avokati i përgjithshëm, z. Peter Davidson.

Në fjalimet e këtyre të fundit, është ritheksuar vendosmëria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të përkrahur Kosovën drejtë rrugëtimit të zhvillimit të vendit, me fokus të veçantë, në zhvillimin ekonomik.

Në këtë tryezë ishin të pranishëm rreth 10 kompani të mirënjohura amerikane në fushën e minierave siç janë: General Electrics, Komatsu, North American Coal, National Mining Association, Bechtel Equipment Operations dhe Ëestmoreland.

Në të gjitha takimet, ministri Lluka ka ritheksuar se siguria e furnizimit me energji, si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, mbetet prioritet i punës së tij dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje