Ministrja Hoxha kërkon mbështetjen e Bundestagut gjerman për vizat

Ministrja Hoxha kërkon mbështetjen e Bundestagut gjerman për vizat

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, gjatë vizitës në Berlin është pritur në takim nga kryetari i Komisionit të Bundestagut gjerman për Çështjet e Bashkimit Evropian, Gunther Krichbaum, me të cilin ka diskutuar për nevojën e mbështetjes së mëtejme nga Gjermania për çështjet integruese, në veçanti për liberalizimin e vizave.



Hoxha ka theksuar se liberalizimi i vizave ndikon fuqishëm në realizimin e prioriteteve institucionale të Republikës së Kosovës.

“Përkrahja e Kosovës nga Gjermania, në veçanti nga komisionet e Bundestagut dhe rekomandimet pozitive në Parlamentin Evropian kanë rëndësi të veçantë për proceset që po kalon vendi ynë. Unë e sigurova z. Kirchbaum se nuk do të lejojmë që lëvizja e lirë të dëmtohet nga askush, ngase legjislacioni dhe institucionet për respektimin e tyre, kanë kompetencën e duhur për këtë çështje”, ka thënë Hoxha.

Po ashtu ministrja Hoxha ka zhvilluar një takim në Ministrinë federale për Bashkëpunim, me Heike Backofen-Warnecke, zëvendësshefe e Divizionit për Evropën Juglindore, Lindore dhe Kaukazi i Jugut, me të cilën ka diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit.

Heike Backofen-Warnecke, ka vlerësuar të arriturat e Kosovës në procesin integrues, duke vënë në pah, gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit ndërministror dhe ndërqeveritar.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje