NATO: Transformimi i FSK-së të bëhen mbi bazën kushtetuese

NATO: Transformimi i FSK-së të bëhen mbi bazën kushtetuese

Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha së bashku me komandantin e FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, të shoqëruar nga zyrtarët dhe eprorë të lartë të ministrisë dhe FSK-së, sot pritën një delegacion të lartë të NATO-s të kryesuar nga John Manza zëvendës asistent i Sekretarit Gjeneral të NATO-s, i cili shoqërohej në takim edhe nga zëvendës shefi i Ekipit Këshillues Ndërlidhës të NATO-s (NALT), Mark Theobald.

Ministri Berisha ka vlerësuar lartë shkallën e bashkëpunimit të deri tashëm me NATO-n si dhe ka falënderuar për kontributin e NALT-it në MFSK dhe FSK si dhe bashkëpunimin e mirë me KFOR-in.

Ai ka theksuar bashkëpunimin e mirë me shtet fqinje, posaçërisht me ato shtete që kemi të nënshkruar marrëveshje bilaterale bashkëpunimi. Me këtë rast ai ka folur edhe për suksesin e integrimit të komuniteteve pakicë në FSK, posaçërisht të komunitetit serb.

Ministri Berisha ka kërkuar që të ketë përkrahjen e NATO-s për anëtarësim të Kosovës në nismat regjionale të Sigurisë.

Më tej ministri Berisha ka folur edhe për përgatitjet që janë bërë në procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura, por duke qenë të përkushtuar që gjithçka të jetë e koordinuar me partnerët strategjik.

Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama në fjalën e tij e njoftoi delegacionin e lartë nga Brukseli, me aktivitetet në FSK si; për sukseset e kadetëve në vendet e ndryshme të botës; për sukseset e FSK-së në fushat operacionale; nivelin e stërvitjeve me standarde të NATO-s; pjesëmarrjen e FSK-së në trajnime dhe ushtrime fushore ndërkombëtare; për përgatitjet për konferencën vjetore të prillit “FSK dhe partnerët”; për përgatitjet për mbajtjen e ushtrimit fushor “Shqiponja -6”, ku do jenë pjesëmarrëse edhe 12 shtete partnere të Kosovës. Në fjalën e tij theksoi se FSK ka bërë të gjitha përgatitjet dhe planet për transformimin e FSK-së dhe pret vendimin politik. Si prioritet komandanti i FSK-së shtroi kërkesën që FSK-ja të jetë ofrues i sigurisë përmes Operacioneve të Mbështetjes së Paqes.

Nga ana e tij zëvendës asistenti i Sekretarit Gjeneral të NATO-s zoti John Manza u shpreh i kënaqur nga arritjet e FSK-së, duke vlerësuar se, si institucion i ri keni ecur shumë përpara.

“Ju keni bërë gjithçka në mënyrën e duhur. Si FSK jeni të përfaqësuar shumë lartë nga përformanca e kadetëve tuaj në akademitë ushtarake jashtë vendit. Keni bërë punë të shkëlqyer me integrimin e komuniteteve pakicë. Ndryshimet për transformimin e FSK-së duhet të bëhen mbi bazën kushtetuese. Të jeni të fokusuar dhe përqendruar në arritjen e synimeve afatgjata”, tha ai.

Dy delegacionet u pajtuan që bashkëpunimi Kosovë – NATO, duhet të thellohet në fushat ku ekziston mundësia, njofton MFSK.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje