Në Malishevë rritet niveli i ujit në lumenj, disa familje bllokohen nga...

Në Malishevë rritet niveli i ujit në lumenj, disa familje bllokohen nga uji

Reshjet e djeshme të shiut dhe shkrirjes së shpejtë të borës, në territorin e Komunës së Malishevës, ka bërë që të rritet niveli i ujit në lum dhe në përroska.

Sipas njoftimit nga Komuna e Malishevës, lumi Mirusha ka dalë nga shtrati në disa vende, kryesisht në toka bujqësore, ndërsa nga prurjet e ujit nëpër përroska, uji ka bllokuar së paku tri familje në qytetin e Malishevës.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Valon Gashi, tha se ekipet komunale janë në terren gjatë tërë ditës dhe janë duke u monitoruar situatën.

Sipas Gashit, sasia e madhe ujit, e ka bllokuar rrugën Mirushë-Gurbardh, duke e mbuluar urën mbi liqenin në Mirushë, ndërsa në fshatin Bubavec, është intervenuar në një rast, duke e prishur urën dhe rrugën, në mënyrë që të shpëtohet një familje nga përmbytjet. Intervenimi është bërë nga banorët e fshatit.

Po ashtu në qytetin e Malishevës, si pasojë e prurjeve të shumta të ujit, tri familje janë bllokuar dhe është tepër e vështirë të depërtohet.

Sipas të dhënave të deri tanishme, asnjë qytetar nuk është i rrezikuar, ndërsa ekipet komunale të emergjencave janë në gatishmëri të plotë.

Prurjet e ujërave janë të mëdha dhe sasia e ujit në lum dhe në përroska, është në rritje e sipër.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje