Nesër në Klinë fillon festivali “I këndojmë lirisë”

Nesër në Klinë fillon festivali “I këndojmë lirisë”

Në Klinë nesër (e mërkurë) nis festivali folklorik mbarëkombëtar “I këndojmë lirisë”, që mbahet më 6, 7 dhe 8 qershor.

Sivjet është edicioni 18-të me radhë i festivalit dhe nis në Çabiq, në vendlindjen e Mujë Krasniqit – Kapuçit, njërit nga komandantët më të shquar të UÇK-së.

Në hapjen solemne të festivalit para Kullës muze, më këngë e valle do të paraqitën grupe artistësh rapsodë e instrumentistë nga Kosova dhe Shqipëria.

Ndërkaq e para që do të paraqitet në skenë është SHKA “Drenica” e Skenderajt, fituese e vitit të kaluar të çmimit kryesor “Mujë Krasniqi”.

Pastaj do të paraqitën edhe grupe e shoqëri artistike e rapsodë. Në Çabiq do të shtrohet edhe sofra tradicionale e këtij fshati, ku në nderim të festivalit dhe të bashkëfshatarit e komandant Mujës do ta shtrojnë sofrën tradicionale me ushqimet tradicionale.

Ndërkaq, në qytetin e Klinës, gjatë ditës do të zhvillohen edhe aktivitete të tjera. Në Sheshin Mujë Krasniqi do të bëhet parakalimi i shoqërive dhe grupeve artistike, ku do të hedhet vallja dhe do të këndohet për Mujën dhe trima të tjerë të UÇK-së.

Mbrëmja e parë konkurruese do të fillojë në mbrëmje konkurruese, ku në skenë do të paraqitën shoqëria artistike, ansamble e rapsodë nga Hani i Eleyit, Burimi, Tuzi, Gjakova Artana, Vlora, Deçani e të tjerë. Edhe në dy netët të tjera do të vazhdoi konkurrimi.

Në përmbyllje të festivalit ndahen edhe çmimet kryesore të festivalit.

Çmimi kryesor është ai i Mujë Krasniqi, vendi i dytë, vendi i tretë, teksti më i mirë i këngës, interpretuesi më i mirë, çmimi i publikut, vallja më e mirë, instrumentisti më i mirë, veterani i festivalit, veshja më autentike, e të tjerë.

Drejtori i festivalit, Dibran Fylli, ka thënë se ndonëse i nuk kanë pasur edhe aq shumë kohë, i kanë bërë përgatitjet e duhur për mbajtjen me sukses të këtij festivali.

“Këtë vit jemi përpjekur që të sjellim risi në festival, sepse  është me karakter ndërkombëtar e mbahet në datëlindjen njërit nga figurat më të ndritshme të UÇK-së, i cili njëkohësisht ishte edhe rapsod i njohur. Në festivalin e sivjetmë do të marrin pjesë artistë, rapsodë e valltarë nga të gjitha trojet shqiptare”, u shpreh Fylli.

“Edhe sivjet kemi pjesëmarrës te të gjitha trojeve shqiptare, ku në skenë do të ngjiten për tri ditë rresht këngëtarë, valltarë e instrumentistë për të shpalosur vlera, e tradita kombëtare. Pjesëmarrja është masovike, do të jenë rreth 700 pjesëmarrës”, ka thënë sekretari organizativ i festivalit, Ramadan Selimii.

Sokol Krasniqi, bashkëfshatar dhe bashkëluftëtar i Mujës ka pohuar ndihen krenar që festivali nis nga Çabiqi dhe identifikohet me komandant Kapuçin.

Ndërkaq, drejtori Komunal i Kulturës në Klinë, Skënder Merturi, ka treguar se komuna sivjet e ka mbështetur festivalin financiarisht si dhe ka angazhuar një staf komunal për mbarëvajtjen e festivalit.

Ai ka theksuar se është bërë planifikimi i pritjes, përcjelljes dhe akomodimit të mysafirëve.

Festivali Folklorik mbarëkombëtar “I këndojmë lirisë”, mbahet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Klinës, Zenun Elezajt, sponsor medial është RTK-ja, kurse zëdhënës i festivalit është Enver Maloku.

Edhe sivjet vlerësimin do ta bëjë juria profesionale prej pesë anëtarësh, profesionistë nga të gjitha fushat, të folklorit, koreografisë, valleve, instrumenteve e të tjera.

/Enver Maloku/

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje