Pacolli: Beogradi nuk po kursen asgjë, njohjet e reja të vështira

Pacolli: Beogradi nuk po kursen asgjë, njohjet e reja të vështira

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, tha se procesi i njohjeve të reja për Kosovën është mjaft i vështirë pasi Kosova nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe nuk paraqet ndonjë forcë ekonomike.

Pacolli gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës tha se ka një tentativë dhe influencë nga Serbia që njohjet e deritanishme të Kosovës të tërhiqen.

“Procesi i njohjeve është i vështirë, e jo i lehtë. Ne nuk ndalojmë. Po veprojmë me intensitet të përshpejtuar. Beogradi nuk po kursen asgjë. Synim kanë tërheqjen e njohjeve nga shtetet tjera për Kosovën. Guinea Bisaos e pati tërhequr njohjen e Kosovës dhe unë personalisht u takova me presidentin e saj dhe ju thash që nuk është mirë të bëhet ajo që u bë. Kryeministri i atij vendi është shkarkuar nga posti i tij. Kështu ka ndodh edhe me Burundin… Serbia ka një potencial të madh në dorë, ato ofrojnë bursa, armatim, votën e tyre në OKB për ato shtete që kanë nevojë dhe ne atë mundësi nuk e kemi”, sqaroi Pacolli.

Ministri Pacolli gjithashtu tha se deri më tani kanë arritur të kenë marrëdhënie diplomatike me 97 shtete, raporton Telegrafi.

“Kemi akredituar disa ambasadorë nëpër disa shtete. Në Emiratet Arabe kemi hapur ambasadën tonë. Në ndërtesën që jemi vendosur, ka edhe ambasada tjera. Në Tajlandë, Portugali, Bangladesh, Kuvajt…mendojmë të hapim ambasada të reja”, theksoi ai.

Ai potencoi se kanë marr masa për të punuar edhe me shtetet që e kanë njohur Kosovën dhe nuk kanë lëviz për t’i ndihmuar Kosovës.

“Them që të punojmë me këto shtete. Si Koreja e Jugut që nuk e ka votuar Kosovën në UNESCO. Ka dhe nga ato shtete që e kanë njohur Kosovën dhe nuk ka pasur nga ana jonë një falënderim për ta dhe këto shtete kanë mbetur të lënduar, siç është dhe Polonia”, tha Pacolli.

Ministri tregoi se këto ditë pret një termin për të takuar sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mike Pompeo.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje