Pesëdhjetë vjet pas: “2001: Odiseja hapësinore”, një mister për njerëzimin!

Pesëdhjetë vjet pas: “2001: Odiseja hapësinore”, një mister për njerëzimin!

Stanley Kubrick mund të jetë përcaktuar për realizmin e një filmi të fantashkencës, por “2001: A Space Odyssey” (2001: Odiseja hapësinore), që mbush 50 vite këtë javë, është më afër shtëpisë Tokë sesa ne mendojmë, shkruan Nicholas Barber.

Po bëhen 50 vjet nga lansimi i “2001”-shit dhe ne ende synojmë të nxjerrim një kuptim nga ai. Kryevepra e fantashkencës e Stanley Kubrickut, votohet rregullisht si një nga filmat më të mëdhenj të bërë ndonjëherë: anketa e kritikëve të BBC Culture, për kinemanë më të mirë amerikane, e renditi në numrin katër. Por, “2001”-shi është edhe një nga filmat më të çuditshëm të bërë ndonjëherë. Çfarë, për shembull, një monolit i shkëlqyer drejtkëndor kërkon në Afrikën parahistorike? Pse një astronaut kalon përmes një loje dritash psikodelike, në një univers tjetër, para se të kthehet në një embrion kozmik? Dhe, duke pasë parasysh se pjesa e parë është vendosur miliona vjet në të kaluarën dhe dy seksionet qendrore janë vendosur 18 muaj larg njëra-tjetrës, sa prej tyre ndodhin në vitin 2001?

Kubricku e ndërlidhi filmin me pikturë dhe pjesë muzikore

Kubricku nuk do të ishte shumë i mërzitur nga kjo lodhje koke. “Jeni të lirë të spekuloni rreth kuptimit filozofik dhe alegorik të filmit”, i tha ai një intervistuesi në vitin 1968, “por nuk dua ta sqaroj hartën verbale për 2001-shin që çdo shikues të ndihet i detyruar ta ndjekë ose të ketë frikë se e ka humbur cakun”. Bashkë-skenaristi i Kubrickut, Arthur C. Clarke, iu përgjigj disa dilemave të tregimit në romanin e ardhshëm, i cili u botua vetëm pas lansimit të filmit. Por, regjisori editoi çdo gjë që mund të jetë shumë e lehtë për t’u kuptuar. Ai e ndërlidhi filmin me një pikturë dhe një pjesë muzikore, diçka për t’u përjetuar “në një nivel të brendshëm të vetëdijes”. Megjithatë, “2001”-shi nuk është krejtësisht i enigmatik. Një gjë që është e qartë është se ka të përbashkëta me disa prej filmave të tij të mëparshëm kundër luftës dhe kundër autoriteteve, në veçanti me “Dr. Strangelove” të vitit 1964 (Dr. Strangelove apo: Si mësova të mos brengosem dhe t’i dua bombat).

E parë nga një distancë, të dy filmat vështirë se mund të jenë më të ndryshëm. Njëri është një satirë bardhezi e garës së armëve që shfaq Peter Sellersin në role të shumëfishta; tjetri është një shtrirje me ngjyra të pasura, një soditje intergalaktike e përshkruar në posterin origjinal si një “dramë epike e aventurës dhe eksplorimit”. Por, shikoni ngjashmëritë: sekretet e Luftës së Ftohtë midis SHBA-ve dhe Rusisë, sallat e bordeve të mbushura me njerëz të moshës së mesme në kostume, makina gjoja të pagabueshme që kanë për qëllim vrasjen e njerëzve që e ndërtuan. Shikojeni skenën e “Dr. Strangelove” në të cilën gjenerali Kong (Slim Pickens) lidh dyert e bombave të aeroplanit dhe skenën pothuajse identike të “2001”-shit në të cilën astronauti deaktivizon kompjuterin e anijes së tij kozmike.

Filmi ka ngjashmëri me satirën e Luftës së Ftohtë, “Dr. Strangelove”, përfshirë sallat e takimeve

Dhe, shikoni bindjet që mbështesin të dyja veprat: njerëzit në thelb janë të dhunshëm e vetëshkatërrues dhe secili që i beson vetes se është 100 për qind i drejtë mbase është një maniak i rrezikshëm. Mund ta teprojmë nëse e quajmë “2001”-shin një komedi cinike politike, por nëse Kubricku nuk donte që ne të qeshim, ai nuk do të fokusohej në “tualetin me zero gravitet”. Dhe, nuk do ta kishte një kapitull të titulluar “Agimi i njeriut”, në të cilin njeriu, duke aguar, përplas trurin e një njeriu tjetër me hu.

Në këtë pjesë të hapjes, paraardhësit tanë leshatorë (të luajtur me kostume nga artistët e pantomimës) nuk hanë gjë tjetër përveç rrënjëve dhe manave, derisa nuk shohin veten pranë një pllake të zezë të tmerrshme – e cila dikur ishte krahasuar me një gur varri, por që tani na sjell në mendje një iPhone të madh. Ky monolit misterioz përshpejton të mësuarit e majmunëve dhe njëri prej tyre ka idenë që të përdorë një kockë si armë. Pasi ka vrarë një të afërt njeri-majmun, ai e hedh kockën lart në ajër, ku Kubrick na sjell montazhin i cili gjithmonë del kur shkruani “match cut” në një motor kërkimi në internet: kocka rrotulluese zëvendësohet nga një satelit që sillet rreth Tokës. Përveçse nuk është satelit! Sipas shkrimtarit Clarke, anija që zë vendin e eshtrave “supozohet të jetë një bombë orbitale e hapësirës, një armë në hapësirë”. Këtu, së paku, mund të shohim se çfarë po bën Kubricku: sipas llogarisë së tij, përparimi njerëzor ka qenë gjithnjë i ndërlidhur me zhvillimin e mënyrave më të mëdha e më të mira për vrasjen e njëri-tjetrit.

Te “Agimi i njeriut”, paraardhësit tanë leshatorë gjenden para një monoliti

Në këtë pjesë të filmit, takojmë Heywood Floydin (William Sylvester), një shkencëtar në rrugën e tij për në Hënë, ku një tjetër monolit jashtëtokësor është zbuluar. Por, Floyd nuk është kërkues konvencional i fantashkencës; një budalla i çmendur me rroba laboratori; as një hero intergalaktik. Përkundrazi, ai është shtylla e vetëkënaqur e familjes amerikane, që kujdeset nga stjuardesat e bukura dhe që humbet gostinë e ditëlindjes së vajzës së tij sepse është në “udhëtim”. Kur uron kolegët në zbulimin e tyre, nuk do të mendoni se ata kanë gjetur dëshmi të jetës jashtëtokësore; ju do të mendoni se ata kishin kompozuar një xhingël të ri reklamash. “Po, duhet të them”, thotë Floyd, “ju djema keni arritur në diçka”! Qoftë nëse janë gjeneralët amerikanë në “Dr. Strangelove”, gjeneralët francezë në “Paths of Glory” (Rrugët e Lavdisë), ose ministri i Brendshëm i cili pretendon të ketë ilaç për krimin te “A Clockwork Orange” (Portokalli mekanik), Kubrick kënaqet duke treguar se burrat përgjegjës për fatin tonë nuk janë domosdoshmërisht njerëzit më me imagjinatë apo më inteligjentë në Sistemin Diellor. Dhe, gjithmonë janë burrat. Karakteri i vetëm femëror në “Dr. Strangelove” është sekretarja në bikini e gjeneralit amerikan; te “2001”-shi gratë kanë më shumë rroba, por nuk kanë më shumë dialog.

Karakteret femërore te “2001”-shi kanë më shumë rroba se te “Dr. Strangelove”, po shumë më pak dialog

Pjesa e tretë i filmit është vendosur në bordin e një anije kozmike, të nisur për në Jupiter. Ekuipazhi i tij përbëhet nga David Bowman (Keir Dullea) dhe Frank Poole (Gary Lockwood), së bashku me tre astronautë të tjerë në gjendje të fjetur, por shumica e operacioneve të anijes kryhen nga një kompjuter i quajtur HAL 9000 (me zërin nga Douglas Rain). A mundet ky pilot i inteligjencës artificiale të shkaktojë probleme për shokët e tij ekuipazhit? E pra, ai deklaron se është “me ndonjë përkufizim praktik të fjalëve, i pagabueshëm dhe i paaftë për gabime”, dhe ky lloj vetëbesimi në një film Kubrickut zakonisht është shenjë e keqe. Për më shumë, HAL i thotë Davidit dhe Frankut, gabimisht, se antenat e komunikimit të anijes janë me feler. Duke supozuar se HAL-i nuk është duke funksionuar mirë, astronautët vendosin që ta ndalin. Për fat të keq, HAL vendos t’i mbyll ata i pari.

HAL, simboli i inteligjencës artificiale, është burim problemesh…

Sidomos këtu “2001”-shi mund të rikthehet tek “Dr. Strangelove në Hapësirë”, sepse këtu Kubrick e kthen në zero sigurinë tonë të fryrë dhe besimin tonë absurd te çdo sistem apo makinë që mendohet se i ka të gjitha përgjigjet. Në filmin e vitit 1964, një “aparat i fundit të botës”, që duhej të garantonte paqen botërore, në fakt do të fshijë qytetërimin – dhe është programuar ashtu që askush nuk mund ta ndalojë. E, në filmin e vitit 1968, ironitë shkojnë edhe më lart. Kompjuteri HAL bën një gabim. Një kontrollues i misionit konfirmon se është një gabim – për shkak se kompjuteri i tij identik HAL në Tokë po thotë kështu. Por, HAL është i sigurt për veten e tij, si gjeneralët në “Dr. Strangelove”: “Epo, unë nuk mendoj se ka ndonjë dilemë në lidhje me këtë”, thotë me zërin e tij të qetë, pothuajse emocional. “Kjo mund t’i atribuohet vetëm gabimit njerëzor”. Dëgjoni me vëmendje dhe mund ta ndjeni Kubrickin duke rënkuar në dëshpërim.

Jo që “2001”-shi është thjesht një vazhdim i “Dr. Strangelove”. Shpërfilleni satirën e hidhur dhe do të keni ende efektet mahnitëse speciale, dizajnin perfekt të prodhimit, teknologjinë profetike, muzikën transportuese klasike dhe të gjitha çuditshmëritë: udhëtimi i shkëlqyeshëm i Davet “përtej pafundësisë” është po aq mahnitës sot sa ka qenë në vitin 1968. Megjithatë, është e habitshme se si Kubricku nisi të bëjë “filmin e mirë proverbial shkencor”, duke huazuar tregimin nga Clarke, dhe se ishte i hipnotizuar nga jeta jashtëtokësore. Por, megjithatë, ai nuk mundi të komentonte jetët njerëzore. Është një arsye se pse “2001”-shi është kaq i kënaqshëm e aq i fshehtë: Kubrick po ëndërronte botët tjera, por vazhdonte të kthehej në Tokë

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje