Policia identifikon autorët: Si u rikthye lufta e bandave në Lushnje

Policia identifikon autorët: Si u rikthye lufta e bandave në Lushnje

Prokuroria dhe Policia e Lushnjes duket se e kanë emrin e personit të dyshuar për masakrën e djeshme të ndodhur në mes të qytetit.

Burime nga policia thanë për ABCNews kanë bërë të ditur se është shpallur në kërkim Laert Haxhiu, si personi i dyshuar që ka qëlluar dhe vrarë me kallashnikov Jurgen Hoxhën dhe Zamir Latifin, ndërsa mbeti i plagosur rëndë Marius Xhepexhiu dhe një kalimtar.

 

Ky i fundit ka vrarë shokun e Aldo Bares, Gerti Lala i njohur me nofkën “Iriqi” në vitin 2009.

Laert Haxhiu është i afërm i Bledar Haxhiut, i vrarë nga banda e Aldo Bares.

Haxhiu doli nga burgu për vrasjen në fund të 2014-ës, ndërsa u arrestua sërish në qershor të vitit 2015 për trafik heroine gjatë operacionit të koduar “Smart”, por më pas duket se është lënë i lirë.

Haxhiu është i dyshuar edhe për atentatin e vitit 2016 ku mbetën të plagosur Xhulio Shkurti dhe Sajmo Xheliu.

Pas ngjarjes nuk u arrestua asnjë person ndërsa i dyshuari kryesor nga policia ishte Laert Haxhiu.

NJOFTIMI ZYRTAR

Lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmë në qytetin e Lushnjes, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Urës së Përroit“ ku u qëlluan me armë zjarri e për pasojë kanë gjetur vdekjen shtetasit Z.L, 26 vjeç, banues në Lushnje, dhe J.H, 26 vjeç, banues në Lushnje si dhe u plagosën 2 persona të tjerë, grupi i posaçëm hetimor zbardhi autorësinë dhe shpalli në kërkim 2 persona.

Me marrjen e njoftimit nga ana e Komisariatit të Policisë Lushnje u organizua puna dhe u ngritën menjëherë pika kontrolli nëpër kryqëzimet, hyrjet dhe daljet në qytet me qëllim kapjen e autorëve.

U njoftua Drejtoria Vendore e Policisë Fier, Berat e Durrës me qëllim ngritjen e pikave të kontrollit në akset rrugore.

Grupi hetimor ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ku u kryen veprimet e mëposhtme: si këqyrja e vendit të ngjarjes ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale gëzhoja si dhe një pistoletë, e cila dyshohet se i përkiste viktimës, shtetasit Z.L.

Grupi hetimor sekuestroi si prova materiale pamjet filmike në dy biznese në afërsi të vendit të ngjarjes. Rreth orës 19:15, në parcelat e fshatit Çukas, në krahun e majtë të rrugës nacionale Lushnje-Berat, u gjet i djegur një automjet tip Mercedes-Benz.

Në brendësi të tij u konstatuan dhe u sekuestruan 3 armë zjarri dhe një fishek i paplasur. Këqyrja e mëtejshme e automjetit për të përcaktuar numrin e shasisë po vijon në Komisariatin e Policisë Lushnje.

Nga analiza e ngjarjes dhe informacioneve qe ka mbledhur grupi hetimor, pjese e të cilit ishin edhe Drejtues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, rezulton se ngjarja e djeshme ka lidhje me ngjarjen e datës 25.09.2016 ndodhur në qytetin e Lushnjes ku është tentuar të vriten me armë zjarri 2 shtetas.

Autorët e dyshuar të asaj ngjarje janë shtetasit Leart Haxhiu dhe O. B., të shpallur në kërkim për kryerjen e veprave penale “Vrasje e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municioneve”.

Dyshohet se autorët e mundshëm edhe të ngjarjes së djeshme janë shtetasit në kërkim L.H dhe O.B. Po vazhdon puna për ndalimin dhe kapjen e tyre.

Policia e Shtetit duke falënderuar qytetarët për bashkëpunimin i fton ata të telefonojnë në numrin 129 për çdo informacion apo paligjshmëri që konstatojnë.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje