Posta pa rroga, kërkon ndihmë nga Qeveria
Punëtorët e Postës së Kosovës ende nuk i kanë marrë pagat e tyre. Posta përmes një kumtese për media njofton se edhe pse sot është dita e gjashtë e prillit ky institucion nuk ka mundur që t`i ekzekutojë pagat për punonjësit e tyre.
“Vonesat në kryerjen e obligimeve të pagave për punonjësit na kanë shqetësuar shumë, ndërkaq reagimet dhe kërkesat e sindikatave për ekzekutim të pagave i konsiderojmë të drejta”.
“Ne kemi kërkuar me kohë mbulimin e humbjeve që kemi në Shërbimin Universal Postar përmes dhjetëra shkresave zyrtare drejtuar Qeverisë, që nga viti 2013 e deri me tani, por edhe pse është obligim ligjor mbulimi i këtij shërbimi i cili rrjedh nga Ligji mbi Shërbimet Postare dhe Marrëveshja e nënshkruar nga MZHE dhe Posta e Kosovës, e cila precizon qartë që kur Posta nuk mund të mbulojë shpenzimet e këtij shërbimi, Qeveria duhet ta mbulojë humbjen. Ne ende nuk kemi asnjë vendim pozitiv në këtë drejtim”.
“Përmbaruesi privat por edhe Gjykata Themelore në Prishtinë, kanë dhënë qëndrimin e tyre që Qeveria është e obliguar t’i paguaj Postës 3,504,341.89 euro përfshirë ne këtë vlerë kamatën dhe shpenzimet tjera deri në datën kur janë nxjerr vendimet (të bashkangjitur keni vendimin e përmbaruesit dhe vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë”.
Faktor tjetër që po ndikon sipas Postës në vonesat e ekzekutimit të pagave të punonjësve, është vonesa e Telekomit të Kosovës në kryerjen e obligimeve kontraktuale që ka me Postën e Kosovës.
Ata kërkojnë nga Qeveria që kërkesat e tyre t’i trajtojë me seriozitet dhe që nga java e ardhshme të organizohen takime intensive ndërmjet MZHE-së, Bordit të Drejtorëve, Menaxhmentit të Ndërmarrjes si dhe sindikatave të punëtorëve, për tejkalimin e kësaj gjendjeje të rëndë”, thuhet në komunikatë.