Pritet të rritet numri i përmbaruesve privatë

Pritet të rritet numri i përmbaruesve privatë

Ministri i Drejtësisë (MD), Abelard Tahiri, ka bërë me dije se do të rritet numri i përmbaruesve privatë në Kosovë.

“Sa i përket numrit të përmbaruesve, para disa javësh kanë bërë betimin edhe një numër i ri i tyre, por ky numër do të rritet edhe në të ardhmen mbi bazën e parimit të ofrimit të shërbimeve për të gjithë qytetarët, duke mbuluar kështu një shtrirje më të gjerë gjeografike”, ka thënë Tahiri për “Epokën e re”.

Ai ka thënë se profesionet e lira ligjore, ku bëjnë pjesë edhe përmbaruesit, në përgjithësi janë një histori suksesi në Kosovë, të cilat kanë mundësuar efikasitet më të madh në qasjen në të drejta dhe kanë mundësuar një efikasitet më të madh në adresimin e çështjeve që lidhen me aspektin ekonomik.

“Megjithatë, si ministër i Drejtësisë e konsideroj tejet të nevojshme të ridefinohen edhe një herë vlerat mbi të cilat këto profesione funksionojnë, veçmas në kuptim të adresimit të përgjegjësisë dhe llogaridhënies së tyre. Për të adresuar këtë çështje, këtë vit do të themeloj një njësi të veçantë brenda ministrisë e cila do të ketë mandat të plotë auditimi edhe nga aspekti i llogaridhënies edhe nga aspekti i përmbajtjes së punës së profesioneve të lira ligjore. Kjo mbikëqyrje e profesioneve ligjore, përkatësisht përmbaruesve privatë, do të mundësojë transparencë, llogaridhënie dhe përgjegjësi të punës së tyre ndaj qytetarëve dhe subjekteve të tjera”, ka deklaruar Tahiri.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje