“Propozimi i Thaçit për bashkim me Kosovën, lojë me ndjenjat e shqiptarëve...

“Propozimi i Thaçit për bashkim me Kosovën, lojë me ndjenjat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës“

Deklaratat e presidentit Hashim Thaçi, se nëse ka pajtueshmëri në takimin e radhës në dialogun Kosovë-Serbi, Lugina e Preshevës mund t’i bashkohet Kosovës, deputeti i Partisë Social Demokrate (PSD), Dardan Sejdiu e quan sharlatanizëm politik, ndërsa ish ambasadori Lulzim Peci thotë që presidenti i vendit po luan me ndjenjat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Deputeti Darda Sejdiu në një prononcim për Telegrafin ka thënë se deklaratat e tilla nga Thaçi, fatkeqësisht janë manipulim dhe keqpërdorim i opinionit publik.

Sipas tij, përveç që është një deklarim manipulativ, gjithashtu është një deklarim që vjen nga një president që nuk ka legjitimitet e as kompetencë kushtetuese.

“Deklarimet e Thaçit me një fjali mund të themi që janë sharlatanizëm politik. Thaçi me këto lloj deklaratash dy javët e fundit po donë me vendos veten në epiqendër të dialogut të cilin ai vet e ka nis dhe është gabuar, dhe të cilin dialog ai po donë ta vazhdojë pa ndonjë mandat të qartë ligjor nga Kuvendi. Pra presidenti i Republikës së Kosovës, nuk ka as mandat, as kompetencë dhe në fund fare siç e tha ai vet, figura e presidentit do të jetë figurë ceremoniale”, ka thënë Sejdiu.

Ai po ashtu ripërsëriti se PSD-ja, në seancën e fundit të sesionit pranveror ka propozuar trajtimin e temës për dialogun Kosovë-Serbi, në suaza të kompetencave të Kuvendit të Kosovës.

“Në këtë drejtim PSD ka propozuar rrugën sa i përket trajtimit të temës së dialogut dhe ajo rrugë përpara lidhet me rezolutën që e kemi propozuar në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës të këtij sesioni, ku kemi shpjeguar që duhet ndërtuar një platformë nga Kuvendi dhe të votohet ajo platformë me 2/3 e votave, dhe kuvendi pas aprovimit të kësaj platforme të vendos sërish me 2/3 e votave se kush do të jetë në ekipin negociator të Republikës së Kosovës. Në fund të formohet një komision parlamentar i cili do të përcjell edhe ekipin edhe realizimin e platformës së votuar në Kuvend. Pra një qasje komplet e formatizuar në suaza të kompetencave të Kuvendit dhe e një Republike Parlamentare pasi kjo është mënyra e vetme për të ecur përpara”, ka thënë ai.

Ndërsa, ish-ambasadori Lulzim Peci në Facebook ka shkruar se është mëkat të luhet me ndjenjat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Peci tha se për arsye strategjike Serbia më parë e mbanë Preshevën se sa e këmben atë me të gjitha komunat në veri të Kosovës.

“Mëkati më i madh që mund të bëhet, është të luhet me ndjenjat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës për bashkim me Kosovë, kur dihet që për arsye strategjike Serbia shumë herë më parë e mbanë Preshevën, se sa që e këmben atë me një pjesë apo të gjitha komunat në veri të Kosovës”, ka shkruar ish ambasadori Peci, në Facebook.

Ndryshe, presidenti Hashim Thaçi ka thënë se shpreson që në fund të këtij muaj ose në fillim të shtatorit do të ketë një dinamikë në dialogun në Bruksel dhe se Kosova, ndërsa siç tha se ndarje nuk do të ketë por mund të ketë korrigjim të kufijve.

Ai po ashtu tha se nëse ka pajtueshmëri atëherë Lugina e Preshevës mund t’i bashkohet Kosovës.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje