Qeveria dërgon Projektligjin për Efiçencë të Energjisë në Kuvend

Qeveria dërgon Projektligjin për Efiçencë të Energjisë në Kuvend

Qeveria në mbledhjen e sotme ka votuar Projektligjin për Efiçiencë të Energjisë duke e dërguar kështu këtë projektligj për në Kuvend.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka sqaruar disa nga objektivat kryesore të këtij projektligji, njofton Klan Kosova.

“Ky Projektligj ka për qëllim përcaktimin e kornizës ligjore të domosdoshme për promovimin dhe përmirësimin e efiçiencës së energjisë në Republikën e Kosovës, me qëllim të përcaktimit të caqeve të efiçiencës së energjisë dhe arritjen e këtyre caqeve në zbatim të planeve të veprimit për efiçiencë të energjisë, zhvillimin e tregut të shërbimeve energjetike dhe masat tjera të efiçiencës së energjisë”.

“Ky ligj përcakton edhe krijimin e Fondit për Efiçiencë të Energjisë dhe nga Buxheti i Republikës së Kosovës parashikohet që të ndahen mjete financiare shtesë në vlerë prej 1 milion euro për çdo vit kalendarik”, ka shkruar Lluka në llogarinë e tij në Facebook.

Ai ka thënë se “me krijimin e Fondit, Kosova do të fitojë fonde nga Bashkimi Evropian në vlerë prej 10 milionë euro në emër të këtij fondi”.

“Mjetet financiare nga donatorët janë zotim i Bashkimit Evropian, kurse mënyra e shfrytëzimit dhe menaxhimit të këtij fondi është e saktësuar me rregullat e caktuara me fondet simotra në BE”.

Sipas tij, “efektet pozitive të fondit do të jenë: efiçenca e energjisë, ulja e shpnezimeve të energjisë në sektorin e ekonomisë familjare, ulja e shkallës së ndotjes në ambient si dhe efektet tjera pozitive që janë pjesë e shportës familjare”.

“Ky projektligj i prezentuar është në përputhje me Direktivat përkatëse të BE-së dhe përmbush kërkesat kryesore të këtyre akteve”.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje