Qeveria i përgjigjet SBASHK-ut për grevën

Qeveria i përgjigjet SBASHK-ut për grevën

Qeveria e Kosovës ua ka bërë edhe një herë të qartë përfaqësuesve të SBASHK-ut, se projektligji  për punëtorët e arsimit të viteve të 90-ta,  kërkon kohë, dhe në këtë çështje është duke u punuar.

Kështu ka konfirmuar për “Gazeta Blic”, zëdhënësja e Qeverisë Donjeta Gashi. Ajo tha se zbatimi i këtij zotimi  kërkon kohë, për shkak se ka edhe disa implikime.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar disa takime me përfaqësuesit e SBASHK-ut dhe gjithmonë e ka përmendur faktin që përmbushja e këtij zotimi, njohja e përvojës së punës në vitet e 90-ta është obligim moral dhe se do të angazhohet në zbatimin e saj, por që kjo kërkon kohë.
Zbatimi i këtij zotimi kërkon kohë, meqë ka implikime financiare dhe sociale dhe është çështje në proces për të cilën po punohet. Kjo u është bërë me dije shumë herë përfaqësuesve të SBASHK-ut. Pikërisht për këtë fakt është kërkuar që SBASHK-u ta ketë parasysh këtë dhe të vazhdojë punën në të mirë të sistemit arsimor”, tha Gashi.

Ndërkohë sot në të gjitha shkollat fillore e të mesme është mbajtur grevë e paralajmërua nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).

Greva ka filluar në ora 9:00.

Ndërsa, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari ka paralajmëruar se nëse institucionet e larta nuk do t’i plotësojnë kërkesat e tyre, ata do të hyjnë në një grevë nga data 13 prill, dhe sipas Jasharit ajo do të jetë një grevë në afat të pacaktuar.

Ai bëri të ditur  edhe një herë se kërkesa kryesore e grevistëve do të jetë dërgimi në Parlament i Projektligjit për punëtorët e arsimit të viteve të 90-ta.

“Arsyeja kryesore e kësaj greve është mos procedimi i Projektligjit për statusin e punëtorëve për arsimin shqip i cili është bllokuar në qeveri dhe kërkesa tjetër është respektimi vendimit të SBASHK-ut dhe MASHT-it lidhur me ligjin e pagave. Po ashtu kemi kërkuar nga qeveria që t’i ndihmoj qeverisë lokale që të zbatoj në tërësi kontratat kolektive e jo të detyrohemi të shkojmë nëpër gjykata”,  tha Jashari në një deklaratë për media.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje