Rusinovci: Bujqësia në Kosovë po karakterizohet me rënie të prodhimit

Rusinovci: Bujqësia në Kosovë po karakterizohet me rënie të prodhimit

Profesori i Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Imer Rusinovci, në një bisedë për gazetën “Epoka e re”, ka thënë se bujqësia në Kosovë po karakterizohet me rënie të prodhimit.

Sipas tij, kjo situatë është shqetësuese dhe , nëse edhe më tutje vazhdon, do të ketë rritje të importit të prodhimeve bujqësore. “Prodhimtaria bujqësore në përgjithësi dhe ushqimi për konsumatorë në veçanti, është një nga problemet më të mëdha që aktualisht shqetëson popullatën. Duhet të jemi pjesëmarrës aktivë si në prodhimtarinë bujqësore, po ashtu edhe në sigurinë ushqimore, që të konsumojmë ushqim të shëndetshëm. Pjesëmarrja e prodhimit të ushqimit nga prodhimtaria vendore aktualisht sillet midis 40-50 për qind, dukuri kjo shumë e ulët në raport me periudhën e para 30 vjetëve kur ushqimi nga resurset tona sigurohej mbi 70 për qind”, ka thënë Rusinovci, duke shtuar se bujqësia në Kosovë po karakterizohet me rënie të prodhimit. Sipas tij, nëse kjo situatë vazhdon do të ketë rritje të importit të prodhimeve bujqësore. “Për shkak të pamjaftueshmërisë së zhvillimit të industrisë agro-ushqimore dhe mungesës së rregullimeve kontraktuese, rreziqet dhe pasiguritë mund të jenë të konsiderueshme. Në deficitin e përgjithshëm tregtar të vendit, pjesëmarrje të konsiderueshme përfaqësojnë prodhimet bujqësore. Deficiti i prodhimeve bujqësore për kokë të banorit në Kosovë është mbi 200 euro, ndërsa në vendet e BE-së është 71 euro për kokë të banorit”, ka deklaruar ai.

Rusinovci ka theksuar se bujqësia mbetet aktiviteti kryesor ekonomik që siguron zhvillimin e harmonizuar të fshatrave. “Bujqësia është pasuri kombëtare që përfaqëson forcë shtytëse për ekonominë tonë të brishtë, e cila zonave rurale mund t’u sjellë një zhvillim shumë më të madh, duke zgjeruar horizontin e vëmendjes ndaj viseve rurale dhe duke trajtuar fshatrat në mënyrë të posaçme. Bujqësia mbetet aktiviteti kryesor ekonomik që siguron zhvillimin e harmonizuar të fshatrave. Viset rurale po karakterizohen me zhvendosje të mëdha të popullsisë drejt zonave urbane me tendencë të shpopullimit masiv dhe rrënimit ekonomik të shumë fshatrave. Aktualisht ndodhemi në këta kufij dhe rruga më e mundshme për të mos lejuar përkeqësimin e këtyre parametrave është zhvillimi i bujqësisë, duke i shfrytëzuar potencialet dhe resurset e paangazhuara deri më tani. Fuqia punëtore, toka, kjo pasuri kolosale, pyjet dhe kullotat që kemi, agroturizmi etj., janë potenciale që më mirë se kushdo i zgjon dhe i energjizon zhvillimi i bujqësisë”, është shprehur Rusinovci.

Ai ka pohuar se është i nevojshëm harmonizimi i politikave bujqësore në mënyrë që të ulet debalanci tregtar i prodhimeve bujqësore. “Politikat e bujqësisë dhe ushqimit duhet t’i kenë parasysh problematikat aktuale dhe metodat e zgjidhjes së problemeve. Politikat për bujqësi dhe ushqim mund t’i zgjidhin problemet kronike që ndeshen në prodhimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore. Këto politika dhe programe duhet të evoluojnë në mënyrë graduale në përgjigje të ndryshimit të përmasave dhe karakterit të problemeve”, ka thënë Rusinovci, duke shtuar se politikat për bujqësi dhe ushqim duhet të konsistojnë në ekonomi të shëndetshme dhe shëndet të konsumatorëve, kriter ky që duhet të jetë primar. “Andaj prodhimtarinë bujqësore duhet ta mbështesim, duke ndikuar në imunitetin e goditjeve nga konjukturat aktuale, përmes politikave të duhura, me veçim të politikave ekonomike nga ato strukturore. Nëse sektorin e bujqësisë e strukturojmë mirë, kjo pa dyshim do të koincidonte me ekonomi të shëndoshë të vendit, me investime të nivelit përkatës në bujqësi, edhe me redikim të madh të importit”, është shprehur ai. Sipas Rusinovcit, në saje të mungesës së rregullimeve kontraktuese në fushën e bujqësisë  rreziqet dhe pasiguritë janë të konsiderueshme. “Kjo po na koincidon me mosmundësitë që të aktivizojmë 35-40 veprimtari të industrisë ushqimore, ku do të hapeshin vende të reja pune, sidomos në zonat rurale, me ç’rast invazionet e popullatës në zonat urbane do të ndaleshin dhe do të eliminoheshin shumë probleme sociale”, ka deklaruar profesori i Bujqësisë, Imer Rusinovci.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje