SHBA, Trump mendon tërheqjen e trupave nga Gjermania

SHBA, Trump mendon tërheqjen e trupave nga Gjermania

Departamenti amerikan i Mbrojtjes po shqyrton mundësinë e tërheqjes së trupave të Shteteve të Bashkuara nga Gjermania, pas interesit të shprehur nga presidenti Donald Trump për një lëvizje të tillë.

Duke cituar burime që kanë dijeni mbi këto plane, “Washington Post” thotë se zyrtarët janë duke analizuar koston dhe pasojat e dërgimit të një pjese, apo edhe të të gjithë 35 mijë ushtarëve amerikanë, në vendin e tyre ose në Poloni.

Në analizë, sipas gazetës, nuk janë përfshirë krerët e mbrojtjes. E gjithë kjo situatë bën të shtrohet pyetja: A është fjala për një diskutim serioz, apo thjesht për një taktikë negociimi përpara Samitit të NATO-s në muajin korrik në Bruksel?

As ministrja gjermane e Mbrojtjes dhe as homologu i saj, James Mattis, nuk e përmenden një plan të tillë pas takimit të tyre vitin e kaluar. Shefi i Shtëpisë së Bardhë i ka kritikuar vazhdimisht aleatët e NATO-s, e Gjermaninë në mënyrë të veçantë për faktin se nuk kanë shpenzuar 2% të prodhimit kombëtar për mbrojtjen, siç është edhe objektivi i paracaktuar i aleancës.

Vitin e kaluar, Gjermania pagoi 1.4% të GDP-së dhe deri në vitin 2024 planifikon ta çojë në 1.5%. Polonia, ndërkohë, shpenzon 1.99% dhe duket më afër tri vendeve që e plotësojnë tashmë këtë kriter: Britania, Estonia dhe Greqia.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje