Shkollat në Gjakovë do të pajisen me kamera të sigurisë

Shkollat në Gjakovë do të pajisen me kamera të sigurisë

Komisioni Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), ka mbajtur të premten mbledhjen e parë për këtë mandat, takim i cili është kryesuar nga kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

Komandanti i stacionit policor në Gjakovë major Kristë Gjokaj ka folur rreth raportit për gjendjen e sigurisë në Komunën e Gjakovës.

Sipas majorit Gjokaj, gjendja e sigurisë në Gjakovë është stabile dhe e qetë. “Kjo bën që Gjakova të jetë dukshëm më mirë se komunat tjera në këtë drejtim”, është shprehur ai.

Më tej, anëtarët e KKSB-së kanë diskutuar për tema të ndryshme, ndërsa fokus i shtuar i është kushtuar sigurisë në shkolla, sigurisë në trafik dhe problemit me qentë endacak.

Duke folur për këto tema, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka bërë me dije se komuna është duke u angazhuar që në një të ardhme të afërt të pajisë me kamera të sigurisë të gjitha shkollat, e gjithashtu është duke u angazhuar që për dy apo tre muaj të nisë zgjidhja e problemit me parkingjet, anipse sipas kryetarit Gjini, ky është një problem shumë më i madh dhe që kërkon kohë më të gjatë deri në zgjidhjen përfundimtare.

Duke u fokusuar tek projektet e komunës dhe roli i KKSB-së, kryetari Gjini ka njoftuar se me përmirësimin e motit në Gjakovë do të fillojnë së realizuari shumë projekte infrastrukturore.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje