Shoqëria civile vlerëson se politizimi i Bordeve po i çon ndërmarrjet drejt...

Shoqëria civile vlerëson se politizimi i Bordeve po i çon ndërmarrjet drejt falimentimit

Mbushja e bordeve të ndërmarrjeve publike e të agjencive të pavarura me emra politikë po vazhdon, pavarësisht që secila qeveri me radhë ka premtuar depolitizim të tyre.

Ky shqetësim është përmendur vazhdimisht edhe në raportet e Komisionit Evropian për Kosovën, por emrat politikë vazhdojnë të marrin votat e kabinetit qeveritar dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, raporton KTV.

Pikërisht ky fakt po i çon ndërmarrjet drejt falimentimit, thotë Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”.

Sipas tij, është fatkeqësi që avazi i vjetër po vazhdon e kjo po ndikon edhe në punësimin e njerëzve të tjerë politikë në këto institucione të pavarura.

Visar Rushiti nga Demokracia Plus thotë se në shumicën e rasteve kur bordet mbesin të pakompletuara është sepse qeveria nuk ka siguruar emrin e përshtatshëm politikisht për të qenë aty.

Ndërkohë, sa i përket përzgjedhjes së emrave për agjencitë e pavarura, thotë se do të mund të ishte ndryshe vetëm nëse në komisionin përzgjedhës nuk do të ishin deputet por profesionistët.

Kritikat e vazhdueshme të raporteve të BE-së për Kosovën kanë qenë për politizimin e administratës publike dhe të bordeve të tjera.

Por, Visar Rushiti thotë se kjo çështje do të vazhdojë derisa vendimmarrësit të largohen nga tendenca që njerëzit e tyre të jenë me çdo kusht pjesë e bordeve në institucione të pavarura.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje