Shqipëria me makinat më të vjetra në rajon

Shqipëria me makinat më të vjetra në rajon

Shqipëria ka një nga flotat më të vjetra të automjeteve në rajon.

Zyrtarisht sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për katër mujorin e 2018-së, për çdo makinë të re të importuar janë futur 16 të tjera të përdorura.

E njëjta tendencë ka qenë edhe në tre vitet e fundit. Raportet mes importit të autoveturave të reja dhe atyre të përdorura është me diferencë të madhe.

Nga rreth 10 vjet që është mosha mesatare e makinave në Bashkimin Evropian, në vendin tonë kjo moshë është gati 20 vjeçare. Mbi 80 për qind e automjeteve janë prodhime para vitit 2007. Mosha e lartë e mjeteve motorike që qarkullojnë në Shqipëri ka si problem kryesor ndotjen e mjedisit nga emetimi i gazrave.

Ne 2016-në, 27 për qind e mjeteve me benzinë ngelën në testin e kolaudimit për tejkalim të normave të emetimit të gazrave.

Aktualisht në vendin tonë nuk ka ndonjë pengesë për importin e mjeteve të vjetra, mjaftojnë që ato të mos kalojnë disa parametra për ndotjen.

Por sa më i vjetër të jete mjeti aq më e lartë është norma e lejuar e ndotjes. Sipas SGS, këto janë shifrat me nivelet zyrtare të miratuara nga qeveria. Duke marrë si shembull mjetet me benzinë, mbetjet e gazrave lejuara janë 4.5 për qind të volumit për makinat prodhim i viteve para 1986, dhe 3.5 për qind për mjete prodhim nga viti 86 deri në 93, e kështu me radhë për të arritur deri ne ditët e sotme me 0.2 për qind të volumit për autoveturat të prodhuara pas viti 2002. Pra, shihet qartë se normat tolerojnë më shumë mjetet e vjetra, shkruan TCH.

Ndërkohë që edhe diferencimi në taksim që teorikisht duhet të dekurajonte futjen e makinave me moshë të madhe është thuajse i papërfillshëm. Pasi duke llogaritur kosto çmim-blerje dhe taksa leverdia është më e madhe. Importi i mjeteve në vendin tonë është krejtësisht i liberalizuar. Madje me zhvillimin teknologjik kushdo mund të porosisë një makine online.

Aktualisht shtete si Zvicra, Gjermania apo vendet nordike që kanë një ndjeshmëri të larte ndaj çështjeve mjedisore kanë programuar që në pak vite të nxjerrin nga qarkullimi mjetet me naftë dhe të favorizojnë motorët hibridë dhe elektrikë.

Por në çfarë drejtimi po ecën Shqipëria, e cila brenda pak kohesh mund të përballet me një fluks të madh mjetesh që do dalin nga qarkullimi nga këto shtete, sidomos Gjermania, për shkak të ndotjes. Deri tani asnjë kufizim për futjen e mjete e vjetra, apo lehtësira nga ana tjetër që qytetarët të drejtohen drejt mjeteve të reja.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje