S’ka shmangie nga drejtësia ndërkombëtare25 Dhjetor

S’ka shmangie nga drejtësia ndërkombëtare25 Dhjetor

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, janë të paevitueshme, qoftë në formën, e cila ka marrë miratimin e Kuvendit të Kosovës në vitin 2015, qoftë në formën alternative, që do ta merrte pëlqimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Ata i kanë cilësuar si të kota dhe naive, siç thonë ata, përpjekjet e subjekteve politike në pushtet, të cilat ditën e premte, kanë tentuar dy herë që ta dërgojnë para deputetëve të Kuvendit propozimin për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Por, marrë parasysh që ky ligj ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës, madje me mjaft polemika dhe kundërshtime, sidomos të partive opozitare, cili është motivi për shfuqizimin e këtij ligji?

Politologu Belul Beqaj, profesor i Shkencave Politike, duke folur për “Radion Evropa e Lirë”, e ka vlerësuar krejtësisht të gabueshëm tentimin e partive në pushtet për të shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale.

“Ata kanë menduar që në këtë mënyrë të bëjnë presione, shantazhe. I kanë përdorur veteranët, për të qenë instrument për destabilizimin e situatës, për të treguar se janë faktorë, të cilët ende mund ta kontrollojnë situatën, e kështu me radhë, para bashkësisë ndërkombëtare. Kjo, për të pasur mundësi të negocimit, që dikush të mund të shpëtojë më lehtë apo ta prolongojë, por më vonë. Filozofia e tyre ka qenë naive dhe besoj që naiviteti duhet të përfundoj, sepse edhe pas 18 vjetësh gjykata jonë nuk ka bërë asgjë”, ka thënë Beqaj.

Artan Muhaxhiri, analist i çështjeve politike, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se liderët politik nuk është dashur të lëshohen në, siç i quan ai, aventura që e dëmtojnë vendin, në rast se vet ata do të kishin njohuri elementare për atë se si shkojnë proceset e gjykatave ndërkombëtare.

“Është dashur ta dinë se nuk mund të ketë asnjë lloj shmangie nga kjo drejtësi, posaçërisht në këtë stad, pra, në këtë nivel, kur shihen edhe konturat e qarta të procesit të Gjykatës Speciale – pra, me gjykatës, me punë në terren për mbledhjen e dëshmive dhe me fillimin e caktimit të datave për atë se kur do të ngrihen aktakuzat e para. Pra, ka qenë një akt krejtësisht naiv”, ka deklaruar Muhaxheri.

Politologu Beqaj është shprehur mendimin që tentimi për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, nënkupton tentimin për fuqizimin e atyre subjekteve dhe faktorëve, të cilët, siç thotë ai, e kanë sjellë Kosovën para dështimit.

“Shteti i Kosovës do të përshpejtojë rrugën drejt dështimit në qoftë se në këtë rast ia mbyllë derën drejtësisë ndërkombëtare. Mendoj që është papjekuri nacionale në qoftë se qytetarët i nënshtrohen diktatit të individëve dhe grupeve që po bëjnë përpjekje për ta dështuar shtetin, për shkak se e kanë parë veten potencialisht si të dyshuar nga Gjykata Speciale. Së fundi, mendoj që, realisht, derisa janë në liri kryerësit potencial të krimeve të supozuara, nuk ka sovranitet dhe liri të veprimit të mirëfilltë në Kosovë”, ka thënë Beqaj.

Ndërsa analisti Muhaxhiri, e konsideron absurd mendimin për mundësinë e shmangies nga drejtësia ndërkombëtare.

“Në mënyrën më të sinqertë, nuk e kuptoj se cili ka qenë motivi, sepse është krejtësisht e pakuptueshme që edhe nëse ka qenë plani që të iket nga drejtësia ndërkombëtare, që kjo të bëhet në këtë mënyrë. Deri më tani bashkësia ndërkombëtare ka dhënë dëshmi të qarta se projekti i Gjykatës Speciale është një projekt, të cilin ajo do të investoj para, kuadro dhe kohë. Pra, është absurde të mendohet se me një votim të thjeshtë të Kuvendit të Kosovës të anulohet i gjithë ky projekt i madh ndërkombëtar”, ka thënë Muhaxhiri.

Sidoqoftë, tentimi për ta dërguar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës propozimin për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale ka ngjallur reagime të shumta të ambasadorëve të vendeve perëndimore në Kosovë, por edhe të shoqërisë civile.

Së fundmi, të hënën ka reaguar edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili ka vlerësuar se iniciativa për zhbërjen e Gjykatës Speciale cenon rëndë detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, bie ndesh me vlerat dhe parimet ndërkombëtare lidhur me sundimin e ligjit për të cilat është zotuar Kosova. Siç thuhet në një komunikatë për opinion, të IKD-së , kjo nismë “konteston rëndë subjektivitetin juridiko-ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”.

“Ky hap, po u realizua, përfundimisht tregon se Kosova ka mungesë të pasjes së zotësisë për të hyrë në marrëdhënie kontraktuale me shtete dhe organizata ndërkombëtare, si pasojë e moszbatimit të të njëjtave marrëveshje ndërkombëtare për të cilat është zotuar se do t’i zbatojë në mënyrë solemne dhe me shkrim. Ky hap, po u realizua, paraqet edhe cenim të rëndë të ligjit ndërkombëtar, diçka që Kosova nuk guxon dhe nuk duhet t’ia lejoi vetes nëse merret parasysh statusi i pa konsoliduar i shtetësisë së Kosovës”, është thënë në reagimin e IKD-së.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të shtunën, sërish e ka cilësuar Gjykatën Speciale si “të padrejtë” për Kosovën, ndërkohë që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka vlerësuar se ajo që ka ndodhur ditën e premte, ka qenë “proces që është zhvilluar konform ligjeve të vendit dhe qëndrimeve politike të secilit subjekt”.

Megjithatë, ai ka bërë të ditur se Kuvendi i Kosovës që nga dita e shtunë është futur në pushim dimëror, deri në javën e tretë të muajit janar.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje