Soltes: Kosova nuk mund të kushtëzojë dialogun me vizat

Soltes: Kosova nuk mund të kushtëzojë dialogun me vizat

Evropianët nuk po kanë konsiderata për deklaratat e zyrtarëve të lartë të Kosovë, sipas të cilëve, Brukseli po tregohet i padrejtë me kosovarët. Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, slloveni Igor Soltes, thotë se Kosova duhet ta heq dorë nga fajësimi i Bashkimit Evropian për punët që nuk i ka kryer vetë.

Ai thotë se autoritetet kosovare nuk mund ta kushtëzojnë dialogun me Serbinë me liberalizimin e vizave, pasi këto janë të ndara. Kur është fjala për bisedimet, Soltes ka fjalë të mira për Serbinë.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj pas një vizite në Strasburg tha se u kishte bërë me dije eurodeputetëve se nëse Kosovës s’i liberalizohen vizat, atëherë dialogu me Serbinë nuk do të kishte kuptim. Ky u pa si një kusht që po i vihet Bashkimit Evropian nga autoritetet kosovare.

Gazeta Express iu drejtua Qeverisë së Kosovës për të kuptuar nëse liberalizimi i vizave tashmë është bërë kusht për vazhdimësinë e dialogut, ashtu siç la të kuptohej zëvendëskryeministri.

Avni Arifi, shefi i stafit të kryeministrit, ka thënë se megjithatë ajo çfarë ka deklaruar Hoxhaj në Strasburg nuk ishte kusht, po vetëm shqetësim që ka Kosova.

“Të gjitha modalitetet janë në tavolinë. Qëndrimi i Zëvendëskryeministrit shpreh shqetësimin e Kosovës për një proces të pabarartë dhe te padrejtë”, ka thënë Arifi.

Derisa në institucione po flitet me të madhe për padrejtësisitë që po ia bën Bashkimi Evropian Kosovës, nga Brukseli thonë se akuzat që vinë nga Kosova në fakt janë të padrejta.

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, thotë se nuk është e drejtë që autoritetet kosovare të drejtojnë gishtin nga Bashkimi Evropian, për punët që vetë nuk i kanë kryer.

“Është e padrejtë që të fajësohet Bashkimi Evropian për diçka që ka për obligim të bëjë Kosova, në këtë rast ratifikimi i Demarkacionit”, ka thënë Soltes për Gazetën Express.

Ai thotë se cështja e liberalizimit të vizave është e ndarë nga ajo e dialogut mes Kosovës e Serbisë, e për liberalizim, Kosova duhet të plotësojë kushtet tanimë të ditura.

“Do të doja të nënvizoja që dialogu mes Serbisë dhe Kosovës është çështje e ndarë nga liberalizimi i vizave. Që Kosova të ketë liberalizim të vizave, duhet të përmbush obligimet që ajo ka dhe që janë ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit dhe luftimi i korrupsionit”, ka thënë Soltes.

Ai ka folur për vazhdimësinë e dialogut, duke thënë se përderisa Kosova po fokusohet në çështje të tjera, Serbia po ndjekë rrugën e duhur për normalizim të raporteve.

Slloveni, që ka marrë detyrën e Raportuesit për Kosovën, pasi Ulrike Lunacek dështoi në zgjedhje, është më shumë i kënaqur me mënyrën se si Serbia po i qaset normalizimit të raporteve se sa Kosova – zyrtarët e së cilës akuzojnë Bashkimin Evropian se po lë Kosovën anash dhe nuk po e shpërblen që deri më tash i është bindur faktorit ndërkombëtar.

“Unë besoj se vazhdimi i dialogut është në interes të Kosovës dhe Serbisë dhe çfarë kam lexuar në media, Serbia dje lajmëroi Komisionin Evropian se është i gatshëm ta vazhdojë normalizimin e raporteve me Kosovën, që është një shenjë e mirë dhe një hap i duhur”, ka tjëmë Soltes.

Sipas tij, Komisioni Evropian, duhet të vënë mekanizma që monitorojnë dy palët atë kosovare dheserbe që të matin se kush zbaton marrëveshjet e nënshkruara, e kush jo.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje