Thaçi: Kosova s’është fare si Katalonia, por Spanjën e kemi shtet mik

Thaçi: Kosova s’është fare si Katalonia, por Spanjën e kemi shtet mik

Prishtina e kupton vendimin e kryeministrit të Spanjës, Mariano Rajoy, për të mos marrë pjesë në Samitin e Sofjes, por “Kosova nuk është Kataloni”, ka thënë presidenti Hashim Thaçi.

“Në asnjë rrethanë, askush nuk mund të tërheqë paralele mes nesh dhe Spanjës, meqë Kosova nuk është Kataloni”, ka theksuar ai.

Kryeministri spanjoll e pati paralajmëruar mospjesëmarrjen e tij në Samitin e Sofjes qysh në mars, kur i pati thënë homologut bullgar, Boyko Borissov, se nuk do të marrë pjesë, sepse nuk do që të ulet në të njëjtën tavolinë me Kosovën, transmeton Klan Kosova.

Duke pasur parasysh qetësinë e brishtë në Kataloni, Rajoy nuk ka dashur të shtojë benzinë në zjarr dhe të hapë debat të brendshëm për standard të dyfishtë në rastin e Kosovës dhe atë të Katalonisë.

Ai ka marrë pjesë në darkën joformale, por jo në samit, meqë në Sofje ka shkuar një ditë para liderëve të Bashkimit Europian, duke mos dashur t’i ofendojë mikëpirtësit bullgarë.

Në margjina të samitit, duke folur për Euroactiv, presidenti Hashim Thaçi ka thënë se Kosova e do Spanjën si vend mik, duke kuptuar ndjeshmërinë e situatës në të cilën gjendet.

“Ne respektojmë traditën demokratike të shtetit spanjoll dhe integritetin territorial të tij”.

“E kuptojmë ndjeshmërinë e çështjes duke dashur të vazhdojmë të jemi shtete mike. Herët apo vonë, të gjithë do të jemi anëtarë të një familje të madhe”.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje