Veseli: Demonstratat e vitit 1981 fuqizuan realitetin e Kosovës

Veseli: Demonstratat e vitit 1981 fuqizuan realitetin e Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se demonstrata e studentëve të 11 marsit të vitit 1981, nuk ishte vetëm simbolikë e shprehjes së pakënaqësive me gjendjen e përgjithshme sociale e politike të shoqërisë kosovare, por sipas tij, ajo ka një domethënie historike që nuk mund të anashkalohet.

“Ajo e fuqizoi përfundimisht realitetin se Kosova nuk ishte një entitet gjeografik siç dëshironte ta shihte politika jugosllave, por një entitet tërësisht politik, çështja e së cilës do të duhej të shtrohej për një zgjidhje përfundimtare dhe se kundër këtij fakti nuk kishte asnjë alternativë konformiteti. Sot, 37 vite më pas, kur Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, duhet t’i nderojmë dhe kujtojmë me konsideratë të lartë të gjithë ata protestues, studentë e qytetarë, të cilët e patën një vizion të tillë dhe që me mund e sakrificë vulosën të ardhmen e pa kompromis drejt lirisë dhe pavarësisë së vendit”.

“Tash, garancia e këtyre përpjekjeve është rinia e Republikës së Kosovës, janë qytetarët e saj të cilët çdo ditë forcojnë integritetin e lirisë dhe i japin kuptim ndërtimit të shtetit demokratik. Ky vizion duhet të na përcjellë edhe më tutje, veçmas tani kur kemi hyrë në Dekadën e Re, dekadën e besimit në vlerat demokratike, dekadën e zhvillimit dhe mirëqenies, dekadën e integrimit në familjen evropiane”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje