Vetting po, por me përfshirjen e ndërkombëtarëve

Vetting po, por me përfshirjen e ndërkombëtarëve

Dorëheqja e ish-prokurorit Elez Blakaj, siç ka thënë ai për shkak të hetimeve që i ka zhvilluar për fryrje të listave të veteranëve të UÇK-së është bërë shkak që shoqëria civile t’i nisë protestat, duke kërkuar shkarkimin e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi dhe një vetting për gjyqësorin në vend.

Madje pro procesit të vettingut kanë dalë edhe disa nga subjektet politike, të cilat e kanë konsideruar si të domosdoshëm një gjë të tillë në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Mbështetje për këtë proces ka ofruar edhe Bashkimi Evropian, i cili ka bërë të ditur se BE-ja mund ta ndihmojë Kosovën për ta realizuar procesin e vettingut në sistemin e drejtësisë nëse institucionet vendore kërkojnë mbështetjen e tyre.

Lidhur me këtë çështje, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se procesi i vettingut është i pakompromis.

“IKD në vazhdimësi përmes raporteve të monitorimit sistematik të sistemit të drejtësisë ka shpërfaqur problemet me të cilat përballet sistemi i drejtësisë në Kosovë, me mungesë efikasiteti, llogaridhënie, transparence, korrupsion të brendshëm dhe mungesë besimit nga ana e publikut. Në këtë drejtim një proces i vettingut është i pakompromis dhe rruga të vetme e depolitizimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë”, u shpreh Miftaraj.

Ai shtoi se qytetarët dhe publiku nuk e kanë luksin që të durojnë shkeljen e të drejtave dhe lirive të tyre nga një sistem i cili në vend të ndarjes se drejtësisë është shndërruar në shkelësin më të madh të drejtave dhe lirive të qytetarit.

Edhe, Valmir Ismaili nga Demokracia Plus ka thënë për Telegrafin se Kosovës i duhet një vetting në sistemin e gjyqësorit, por se për këtë gjë kërkohet vullnet politik dhe ky proces kërkon edhe kohë.

“Procesi i vettingut është i mundshëm, por për të pasur një vetting duhet në rend të ketë një vullnet politik dhe duhet ta kemi të qartë që ky proces kërkon kohë. Duke i pasur parasysh rrethanat aktuale në të cilat po kalon Kosova është shumë e vështirë që një proces i tillë të filloj apo të përfundoj shpejt.

E kemi rastin e Shqipërisë që tregon se sa kohë, angazhim dhe presion ndërkombëtar është dashur për të filluar procesi si i tillë. Megjithatë, Kosovës i duhet një vetting në sektorin e gjyqësorit, por ky proces duhet të mendohet mirë dhe assesi nuk mund të bëhet pa përfshirjen e miqve tanë ndërkombëtar”, tha Ismaili për Telegrafin.

Ai shtoi se në rast se vettingu ndodh pa përfshirjen e ndërkombëtarëve, atëherë nuk do të jetë proces kredibil dhe rezultatet do të kontestohen.

Ismaili shtoi se vettingu do të ishte i dobishëm sepse potencialisht do të ndikonte në depolitizimin e gjyqësorit, dhe do të largonte personat e korruptuar nga sistemi i drejtësisë.

“Kjo pastaj do të hapte mundësinë që në këtë sistem të futen njerëz të rinj dhe me kredibilitet të cilët nuk do të kishin frikën edhe të shqyrtimit të atyre lëndëve që në Kosovë për momentin nuk po guxon askush të merret ose po dështojnë për shkak të ndikimeve të ndryshme”, theksoi ai.

Ligji për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve (i njohur me termin: Vetting) ka për qëllim ngritjen e një sistemi, rivlerësim tërësor të gjyqtarëve dhe prokurorëve me qëllim rritjen profesionale të tyre, luftimin e korrupsionit dhe ndikimit të krimit të organizuar, politikës dhe elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje