Zaev konfirmon: Maqedonia e Veriut, emri i ri

Zaev konfirmon: Maqedonia e Veriut, emri i ri

“Republika e Maqedonisë së Veriut”, është propozimi i ri për emrin e Maqedonisë, ka bërë të ditur kryeministri Zoran Zaev në një paraqitje para mediave pak çaste pas bisedës telefonike me kryeministrin e Greqisë, Alexis Tsipras.

Zaev tha se marrëveshja garanton gjuhën maqedonase dhe identitetin, ndërsa emri i ri do të përdoret si brenda ashtu edhe jashtë vendit, i përkthyer në të gjitha gjuhët.

“Po të ardhmes evropiane, po të ardhmes së qytetarëve të Maqedonisë. Marrëveshja zhbllokon procesin e integrimit të vendit në NATO dhe BE dhe me këtë zgjidhim kontestin prej dy dekadash e gjysmë. Nuk ka më FYROM. Maqedonasit mbeten maqedonas, gjuha mbetet maqedonase, forcojmë identitetin, mbyllim problemet shekullore, vendi po ecë përpara me një perspektivë të ndritur për të gjithë qytetarët”, tha Zaev.

Ai tha se marrëveshja fillimisht do të nënshkruhet nga dy qeveritë, pastaj do të ratifikohet nga Kuvendet e dy shteteve.

Më pas, sipas tij, Greqia do të njoftojë Bashkimin Evropian dhe NATO-n se ka marrëveshje dhe se mund të fillojnë procedurat e integrimit evropian.

“Presim datën për bisedime me BE-në dhe ftesë për anëtarësim në NATO”, tha Zaev duke shtuar se për marrëveshjen do të njoftojë kreun e shtetit dhe të gjitha partitë politike nga të cilët kërkoi mbështetje.

Në anën tjetër, kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras po ashtu ka konfirmuar se shteti i tij ka arritur marrëveshje me Shkupin zyrtar lidhur me kontestin e emrit.

“Kemi marrëveshje. Jam i lumtur sepse është marrëveshje e mirë, që mbulon të gjitha parakushtet e vendosura nga pala greke”, tha ai gjatë një paraqitjeje televizive.

Tsipras shtoi se Maqedonia do të ketë një emër të ri “me përcaktues gjeografik”, por, megjithatë ai nuk tregoi se për cilin emër janë marrë vesh me palën maqedonase.

Arritja e marrëveshjes për emrin mes Athinës dhe Shkupit zyrtar është mirëpritur nga Bashkimi Evropian.

SKA KOMENTE

Lini një përgjigjje