Katër policë të lënduar në Veri po trajtohen në QKUK – Krasniqi: Gjendja e tyre është stabile

Katër policë po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pas lëndimeve të marra gjatë aksionit kundër kontrabandës së mallrave të Policisë dhe Doganës së Kosovës në veri të vendit, raporton Ekonomia Online.

Drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, tha për Ekonomia Online se tashmë gjendja e të lënduarve është stabile.

“Në bazë të informatave që kemi pranuar nga ekipet mjekësorë të Qendrës Emergjente janë paraqitur katër zyrtarë policor të cilët tashmë janë liruar në shtëpi dhe gjendja e tyre është stabile. Ata kane shenja të lehta në trup dhe u janë bërë kontrollet e tyre. Dhe tashmë para 20 minutash është liruar edhe zyrtari i fundit”, tha Krasniqi.

Krasniqi tutje tha se nuk ka rrezik që mund të sjellët ndonjë zyrtar tjetër nga spitali i Mitrovicës.

“Tani për tani jemi në kontakt me Spitalin e Mitrovicës dhe nuk kemi ndonjë informatë që mund të sjellët ndonjë person tjetër i lënduar”.

Bëhet e ditur se në mesin e të lënduarve që po marrin trajtim mjekësor në QKUK është edhe kapiteni i Njësive Speciale, Besart Ahmeti.

Ndryshe gjatë aksionit të sotëm në veri janë lënduar tetë zyrtarë policor dhe një qytetar.

No description available.
No description available.